Ajet Shosholli : “Kuqezinjtë” kërkojnë mbijetesën, por s’e harrojnë kupën
nga AlbaniaSoccer   E premte, 12 Mars 2010 16:32   Shtyp

ajet_shosholliTrajneri i Vëllaznimit të Gjakovës, Ajet Shosholli, ka thënë se skuadra e tij është e gatshme për pjesën e dytë të garave që do të nisin në këtë fundjavë.

“Kuqezinjtë” e Gjakovës sezonin vjeshtor e përmbyllën në pjesën e rrezikshme dhe se, gjendën në mesin e ekipeve të rrezikuara për ta humbur statusin e anëtarit të elitës së futbollit tonë. Sipas strategut Shosholli, skuadra e tij është mobilizuar mjaft mirë, madje në sezonin pranveror do t’u kthehet rezultateve pozitive.

“Kemi punuar mjaft shumë gjatë përgatitjeve. Futbollistët janë angazhuar në çdo stërvitje. Jemi të gatshëm në çdo aspekt për sezonin e ri të garave”, ka thënë Shosholli.

“Skuadrës i mungojnë takimet kontrolluese, por besoj se jemi të mobilizuar mjaft mirë për sfidat që na presin. Pozita jonë në renditjen tabelore nuk është e mirë, mirëpo me angazhimin e të gjithëve, mund të dalim nga kjo pozitë e palakmueshme”, ka treguar Shoshollit.

Sipas tij, të përzgjedhurit e tij objektiv primar kanë mbijetesën në Superligë. Ai beson se skuadra e tij ka fuqi t’i arrijë synimet e klubit.

“Natyrisht se primare për ne do të jetë mbijetesa. Jam i bindur se me skuadrën që kemi ne do t’i arrijmë synimet e klubit, sepse kemi ekip që mund t’i arrijmë rezultatet që i dëshirojmë”, ka thënë Shosholli, i cili ka shtuar se fitorja ndaj Drenicës ka rritur motivin edhe në garën për Kupën e Republikës së Kosovës.

“Primare për ne mbetet ekzistenca në elitën e futbollit tonë. Por, pasi eliminuam Drenicën nga garat e Kupës, motivi për këtë garë është rritur edhe më shumë. Nëse do të na jepet rasti, do të dëshironim të jemi në finalen e Kupës së Kosovës”, ka përfunduar Shosholli. Gjakovarët sezonin vjeshtor e përfunduan në vendin e 11 me 14 pikë të tubuara, aq sa ka edhe skuadra e fundit në renditjen tabelore, Kosova e Vushtrrisë.

Fatmir Bytyci

komente