Futboll / Hysi shkarkon trajnerin Arbnor Morina
nga AlbaniaSoccer   E martë, 04 Maj 2010 13:10   Shtyp

arbnor_morinaHysi: Arbnor Morina duhet ta dijë se kush është bosi

“Arbnor Morina është shkarkuar prej të gjitha detyrave në klub për shkak se nuk e ka futur në lojë Florent Çitakun. Menaxheri i huaj ka bërë 1 200 km për të parë nga afër Çitakun, kurse Morina nuk e ka inkuadruar asnjë minutë në lojë. Kjo është e pakuptueshme”, ka thënë kryetari i Hysit, Hysni Sadiku

Prishtinë, 4 maj - Arbnor Morina zyrtarisht është shkarkuar nga posti i trajnerit të Klubit Hysi.

Morina, i cili pak ditë më parë, pas largimit të Luan Prekazit, mori përsipër që përkohësisht ta drejtojë skuadrën, tashmë edhe ai ka shkuar rrugës së Prekazit.

Sipas numrit një të Klubit të Hysit, Hysni Sadikut, mosangazhimi në lojë i Flornet Çitakut ka qenë arsyeja e shkarkimit të Arbnor Morinës.

Sadiku ka thënë se në ndeshjen e xhiros së kaluar për futbollistin Florent Çitaku ka ardhur një menaxher i huaj që t’i shohë nga afër cilësitë e Çitakut, por, sipas Sadikut, Morina nuk e ka angazhuar në lojë.

“Arbnor Morina është shkarkuar prej të gjitha detyrave në klub për shkak se nuk e ka futur në lojë Florent Çitakun. Menaxheri i huaj ka bërë 1 200 km për të parë nga afër Çitakun, kurse Morina nuk e ka inkuadruar asnjë minutë në lojë. Kjo është e pakuptueshme”, ka thënë Sadiku. Ai ka shtuar se klubi nuk e pengon asnjë lojtar i cili mund të kalojë në skuadrat e huaja.

“Morina duhet ta dijë se ai nuk është bosi i klubit. Ai duhet ta kuptojë se kush është bosi i klubit”, tha Sadiku.

Kujtojmë se Morina, para se ta marrë postin e trajnerit, ka kryer punën e drejtorit sportiv.

Ndihmëstrajnerët do ta drejtojnë Hysin

Ndihmëstrajnerët e skuadrës, Fadil Ademi dhe Emin Simnica, do ta drejtojnë skuadrën e Hysit deri në fund të këtij edicioni të garave.

“Ndihmëstrajnerët Emin Simnica e Fadil Ademi do ta drejtojnë skuadrën deri në fund të këtij kampionati. Pas përfundimit të garave, do të vendosim se cili do të jetë trajner i ri i klubit.

Sokoli, trajner i mundshëm i Hysit

Pak ditë  më parë është folur shumë në medie se trajneri i KEK-ut, Bylbyl Sokoli, do të jetë trajner i ri i Hysit. Ekzistojnë të gjitha mundësitë që një nga trajnerët më të suksesshëm në futbollin e Kosovës, Bylbyl Sokoli, në verë të transferohet në skuadrën nga Merdara.

Fatmir Bytyci

komente