Kapiteni i Trepçës Osmani, i ngazëllyer që skuadra e tij e ka fituar titullin e kampiones
nga AlbaniaSoccer   E martë, 01 Qershor 2010 15:03   Shtyp
osmaniTitulli për Mitrovicën 

Kapiteni i Trepçës, Elvis Osmani, ka thënë se ndihet shumë i lumtur që skuadra e tij e ka fituar titullin e kampiones.

“Xehetarët”, me fitoren prej 2:1, të arritur të dielën që e lamë pas ndaj Besës, zyrtarisht e kanë festuar titullin e kampionit dhe se, pas 18 vjetësh titulli rikthehet në Mitrovicë.

Sipas Osmanit, Trepça e ka merituar titullin. Ai thotë se skuadra e tij gjatë tërë kampionatit ka qenë ekip më i mirë se skuadrat e tjera.

“Shikuar ecurinë e të gjitha ndeshjeve, ne e kemi merituar titullin e kampionit. Rezultatet dhe paraqitjet tona të mira dëshmojnë superioritetin tonë ndaj skuadrave të tjera elitare”, ka thënë Osmani. Ai ka shtuar se titulli i kampionit i ka munguar qytetit të Mitrovicës.

“Të dielën mbrëma i tërë qyteti e ka festuar titullin e fituar. Realisht titulli i ka munguar Mitrovicës. Ndjehem shumë i lumtur që pas shumë vjetësh titulli rikthehet në qytetin tim”, tha Osmani.

Një pjesë e titullit i dedikohet Kushtrim Nebiut

Osmani ka shtuar se një pjesë e titullit shkon në adresën e Kushtrim Nebiut, i cili pak ditë më parë e ka lënduar syrin në Prizren.

“Para ndeshjes me Besën na erdhi lajm i mirë se Kushtrim Nebihu e ka kryer me sukses operacionin e syrit në Turqi. Ky lajm na motivoi edhe më shumë për ballafaqimin me Besën. Një pjesë e titullit të fituar i dedikohet Nebiut”.

I kënaqur me 14 gola

Sulmuesi mitrovicas Elvis Osmani në këtë sezon ka shënuar 14 gola, një më pak se Labinot Osmani (15), që është golashënuesi më i mirë në këtë edicion të garave. Osmani thotë se është i kënaqur me 14 golat e shënuara.

“Golat kanë ardhur pas lojës së mirë që kanë treguar bashkëlojtarët e mi. Kam shënuar 14 gola, një më pak se Labinot Osmani, por e rëndësishme është që skuadra ime e ka fituar titullin e kampiones”, ka theksuar Osmani.

E ardhmja, në dilemë?!

Sulmuesi më  i mirë në radhët e Trepçës, Elvis Osmani, ka thënë  se kontrata me skuadrën mitrovicase përfundon në qershor. Ai thotë se për të ardhmen e tij ende s’ka vendosur.

“Kontrata me Trepçën më skadon në muajin qershor. Fillimisht do të ulem të bisedoj me drejtuesit e kësaj skuadre, më pas do të vendos për të ardhmen time. Një gjë e di, se do të luaj në atë skuadër e cila lufton për titull të kampiones”, ka përfunduar kapiteni i Trepçës, Elvis Osmani.


Fatmir Bytyci
komente