Genc Hoxha: I dua tri pikë ndaj Trepçës
nga AlbaniaSoccer   E premte, 02 Tetor 2009 09:46   Shtyp

genc_hoxha.1_107180553“Skuadra e Trepçës padyshim është me emra më të mëdhenj në futbollin tonë. Ky superderb do të jetë shumë interesant. Besoj se do të jetë një spektakël i vërtetë, pasi pritet të ketë numër të madh të shikuesve. Këtij takimi i hyjmë për fitore. Përparësia e terrenit do të jetë një plus i madh për skuadrën tonë”, ka thënë Genc Hoxha

Veton Zymberi

Trajneri i KF Besës, Genc Hoxha, të enjten i është kundërpërgjigjur trajnerit të ri të skuadrës së Trepçës, Hysni Maxhunit, duke thënë se skuadra nga Mitrovica do të rikthehet duarthatë nga Peja, pavarësisht se në formacionin e saj ka shumë futbollistë cilësorë.

“Skuadra e Trepçës padyshim është me emra më të mëdhenj në futbollin tonë. Ky superderb do të jetë shumë interesant. Besoj se do të jetë një spektakël i vërtetë, pasi pritet të ketë numër të madh të shikuesve. Këtij takimi i hyjmë për fitore. Përparësia e terrenit do të jetë një plus i madh për skuadrën tonë”, ka thënë Genc Hoxha, i cili me skuadrën e tij është mposhtur në fundjavën që lamë pas nga skuadra e Gjilanit me rezultat 2:0.

Besa gjithmonë favorite

Strategu gjakovar, që mbi supe bart shumë suksese me skuadrën pejane, nuk ka hezituar ta konfirmojë kandidaturën e skuadrës së tij në luftë për titullin e kampionit. Ndërsa skuadër favorite, sipas Hoxhës, është edhe skuadra e Trepçës.

“Jemi në luftë për titull të kampionit, pasi jemi më të mirë se vitin e kaluar, por nuk duhet të harrojmë se edhe skuadrat kundërshtare janë të mira. Si kundërshtare më të fortë e shoh skuadrën e Trepçës, e cila është forcuar mjaft në afatin kalimtar”, ka shtuar Hoxha.

Mbrojtësi Labinot Efendija, mesfushori Mensur Duraku dhe sulmuesi Krenar Vokshi janë tri përforcimet që kanë “aterruar” në stadiumin “Shahinhaxhiislami” në afatin kalimtar të verës.

komente