Prishtina / Zejnullahu i bindur për rezultat pozitiv në Skenderaj
nga Yll Begu   E martë, 08 Mars 2011 12:50   Shtyp

faton_zejnullahuNesër në Skenderaj zhvillohet ndeshja e shtyrë e javës së 18-të në Raiffeisen Superligë, në mes të Drenicës dhe Prishtinës. Kuqezinjtë e Skenderajt do të mundohen t’i ndalin të tri pikët në shtëpi, në mënyrë që të stabilizohen paksa në renditje, pasi i pret një punë e vështirë në garën për mbetje në elitë deri në fund të edicionit. Në anën tjetër, Prishtina, si lidere do të kërkojë që nga ky udhëtim të kthehet së paku me një pikë dhe kësisoj ta shfrytëzojë hapin fals të Hysit, për ta shtuar epërsinë në kreun e renditjes. Sulmuesi i bardhekaltërve, Faton Zejnullahu, i cili gjatë fazës përgatitore në Ulqin u tregua mjaft efikas shpreson se nga Skenderaj do të kthehen të pamposhtur. Madje, ai thotë se do të bëjnë çmos t’i gëzohen fitores. “Prishtina në çdo ndeshje hyn për fitore dhe këtë do ta bëjmë edhe në Skenderaj, pa marrë parasysh se kemi të bëjmë me një kundërshtar të papërshtatshëm. Jemi përgatitur maksimalisht për këtë sfidë dhe jemi të bindur për rezultat pozitiv”, deklaroi Zejnullahu. Prishtina në këtë ndeshje do të jetë e kompletuar, përjashto mbrojtësin Benis Krasniqi. Mirëpo, drenicasit janë të bindur se do ta frenojnë skuadrën lidere. “E dimë se na pret punë e vështirë, pasi Prishtina ka potencial, por ne do ta bëjmë detyrën tonë dhe do t’i ndalim të tri pikët në Skenderaj. Jemi në situatë të tillë që nuk guxojmë të gabojmë”, tha mesfushori drenicas, Fisnik Lushtaku. Ndeshja ndërmjet Drenicës dhe Prishtinës fillon në orën 14:00.


komente