Superkupa Kosove / Hysi - Besa 3-1
nga AlbaniaSoccer   E shtunë, 13 Gusht 2011 21:18   Shtyp
hysi_kfSkuadra kampione në fuqi e Kosovës, Hysi, e ka nisur me sukses edicionin e ri të garave 2011/2012, pasi sot pasdite ka fituar Superkupën, duke e mposhtur Besën, me rezultat 3:1.

Ndeshja e parë zyrtare e edicionit të ri u zhvillua në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Pjesa e parë ishte kryesisht e baraspeshuar, megjithëse pejanët u shfaqën skuadër më e rrezikshme. Megjithatë, në minutat e fundit të kësaj pjesëloje, kampionët shënuan dy gola të shpejtë. Fillimisht në minutën e 42-të pas një kundërsulmi të shpejtë Breznica e gjen bukur Enis Zabërxhën, i cili pa ndonjë vështirësi shënon i vetëm në përballje me portierin, Valmir Bytyçi. Vetëm dy minuta më vonë vëllai i Enisit, Ardiani depërton brenda zonës ku pengohet nga Zhara, për çka gjyqtari Sokol Domi tregoi në pikën e bardhë. I saktë nga 11-metërshi ishte kapiteni Mentor Zhdrella, duke çuar shifrat në 2:0. Në pjesën e dytë pejanët u vërsulën me të gjitha forcat në sulm dhe në minutën e 56-të ngushtojnë epërsinë e llapjanëve në 2:1, kur Elvis Gacaferri shënoi nga brendësia e zonës pas asistimit të Haxhi Zekës. Megjithatë, vetëm shtatë minuta më vonë Hysi shënon golin e tretë. Një aksion të shkëlqyer të nisur nga Zuçaku, e të cilit e vazhdoi Zhdrella e përfundoi me sukses Enis Zabërxha, duke vulosur shifrat përfundimtare të këtij takimi, 3:1. Pas përfundimit të ndeshjes Hoxha u ndëshkua me karton të kuq, pasi kishte goditur në aksionin e fundit një mbrojtës pejan, gjë e cila shkaktoi paksa tension, por që gjithçka në fund përfundoi me shtrëngim të duarve. Superkupën kapitenit Mentor Zhdrella ia dorëzoi kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Fadil Vokrri.

Deklaruan:
Fadil Ademi (kryetrajner i Hysit):
“Kjo ishte ndeshja e parë e edicionit dhe natyrisht se na u desh pak kohë derisa e morëm vetën. Fatmirësisht në fund të pjesës së parë realizuam dy gola të merituar, kurse më pas erdhi në shprehje cilësia e skuadrës sime, duke krijuar shumë raste, prej të cilave një e finalizuam”.

Valdet Shoshi (kryetrajner i Besës): "Në 45 minutat e parë loja ishte e baraspeshuar. Edhe pse patëm disa raste të mira, në fund pësuam dy gola. Në pjesën e dytë u munduam të bëjmë kthesë në rezultat dhe shumë shpejtë ngushtuam epërsinë e rivalit, por më pas pësuam golin e tretë nga një pakujdesi në mbrojtje dhe kur pëson tre gola atëherë natyrisht se është vështirë të pretendosh fitoren. Hysin e uroj për fitore”.

Hysi-Besa 3:1
Stadiumi Olimpik "Adem Jashari" në Mitrovicë
Shikues: 1.500
Gjyqtarë: S. Domi, E. Baliqi, M. Rrahimi
Kartonë të verdhë: Cakaj - Gacaferi, Zhara
Karton i kuq: Hoxha.
Hysi: Sadiku, Breznica, Jashanica, Haliti, Sogojeva, Musolli, A.Zabërxha (Zuçaku), Çitaku (Cakaj), Zhdrella, Hoxha, E. Zabërxha (Hajdari).
Besa: Bytyçi, Gacaferri, Haklaj (Ademaj), Zhara, Krasniqi (Morina), Demaj, Berisha, Miftari, Vokshi, Zeka, Gashi (Ahmeti).

 
komente