Genc Hoxha : Fitorja në Vushtrri shton motivin për titull kampion
nga AlbaniaSoccer   E mërkurë, 21 Tetor 2009 12:44   Shtyp

genc_hoxha.1_107180553Trajneri i Besës, Genc Hoxha, ka thënë se është i kënaqur me fitoren e arritur në Vushtrri. Ai thotë se seria e fitoreve do të vazhdojë edhe në ndeshjet vijuese. Sipas Hoxhës, Besa ka fuqi që titullin e kampiones ta rikthejë në Pejë

Fatmir Bytyçi

Trajneri i Besës së Pejës, Genc Hoxha, ka thënë se është i kënaqur që të përzgjedhurit e tij kanë marrë trepikëshin në udhëtim ndaj Kosovës së Vushtrrisë të dielën që e lamë pas. Pejanët kanë mundur vushtrriasit 2-0 dhe se, tashmë gjenden në mesin e skuadrave që garojnë për kreun e tabelës. Sipas trajnerit Hoxha, skuadra e tij ka merituar fitoren në Vushtrri. Ai ka thënë se pas kësaj fitore motivi në radhët e skuadrës së tij është rritur dukshëm.

“Jam i kënaqur jo vetëm me fitoren, por edhe me lojën që kanë shfaqur futbollistët e mi. Ka qenë fitore e merituar dhe se, pas kësaj fitore motivi në radhët tona është shumë më i madh në garën për titull të kampiones”, ka thënë Hoxha.

I pari i bankinës së Besës ka pohuar se tani e më tutje skuadra e tij nuk do t’i përsërisë gabimet e bëra në takimet e kaluara, veçmas në ndeshjet që ka zhvilluar në udhëtim.

“Në disa ndeshje të zhvilluara në udhëtim kemi pësuar humbje me rezultat të ngushtë, por besoj se tani e më tutje Besa do të jetë në nivel më të lartë dhe se, do të vazhdojë seria e fitoreve”, ka theksuar Hoxha.

Dua pikët e plota edhe ndaj Ferizajt

Ish-kampioni i trefishtë ballafaqimin e radhës do ta zhvillojë në terren të vet ndaj Ferizajt. Strategu Hoxha kërkon pikët maksimale ndaj Ferizajt.

“Ndaj Kosovës së Vushtrrisë ishim në mungesë të dy lojtarëve të lënduar, të cilët do të jenë të gatshëm për duelin me Ferizajn. Jemi në formë të mirë, prandaj besoj se do ta mposhtim Ferizajn, në mënyrë që të jemi më afër kreut të tabelës”, ka pohuar Hoxha, i cili ka shtuar se “objektiv i skuadrës së Besës është titulli i kampiones”.

“Synimi ynë është që titullin ta rikthejmë në Pejë. Besoj se me punën që po bëjmë dhe fondin e lojtarëve që kemi në dispozicion, ne mund ta arrijmë objektivin e klubit: titullin e kampionit”, ka përfunduar timonieri i Besës se Pejës, Genc Hoxha.

komente