Kosova e Vushtrrisë / Po na dëmtojnë gjyqtarët
nga AlbaniaSoccer   E premte, 23 Tetor 2009 09:41   Shtyp

arbnor_morina“Duhet të jemi realistë. Ne në tri-katër ndeshje në mënyrë drastike jemi dëmtuar nga gjyqtarët duke mos akorduar penallti. Sigurisht se këto dëmtime kanë ndikuar në rezultatet tona negative”, thonë zyrtarët e Kosovës së Vushtrrisë

Fatmir Bytyçi

Kosova e Vushtrrisë i ka fajësuar gjyqtarët për rezultatet e dobëta të skuadrës në tri-katër xhirot e fundit të Raiffeisen Superligës së Kosovës në Futboll. Vushtrriasit, të cilët mjaft mirë e nisën sezonin e këtyre garave, kanë pozitë të rrezikuar, veçmas pas humbjes së fundit në shtëpi të vet ndaj Besës së Pejës. Sipas zyrtarëve të kësaj skuadre, gjyqtarët kanë dëmtuar skuadrën e tyre në disa takime duke mos akorduar penallti, që, sipas tyre, kanë ekzistuar.

“Duhet të jemi realistë. Ne në tri-katër ndeshje në mënyrë drastike jemi dëmtuar nga gjyqtarët duke mos akorduar penallti. Sigurisht se këto dëmtime kanë ndikuar në rezultatet tona negative”, thonë zyrtarët e Kosovës së Vushtrrisë.

“Mund të them se në ballafaqim me Prishtinën, por edhe në takimin e fundit ndaj Besës, jemi të dëmtuar nga gjyqtarët, për faktin se nuk akorduan penallti të pastër”.

Morina: Po na mungon një golashenues

Ndryshe, trajneri i Kosovës së Vushtrrisë, përkitazi për rezultatet e dobëta të përzgjedhurit të tij, ka thënë se skuadrës po i mungon një golashënues. Në këtë kontest edhe Morina ka akuzuar gjyqtarët, të cilët, sipas tij, kanë ndikuar në rezultatet negative të Kosovës së Vushtrrisë. Morina ka pohuar se, pavarësisht se skuadra tij nuk po arrin rezultate të mira, djelmoshat e tij po shfaqin lojën më të mirë në elitë.

“Skuadrës i mungon një golashënues. Po krijojmë raste të shumta shënimi, por nuk kemi sulmues që do të mund t’i realizonte. Në rezultatet e dobëta ka ndikuar edhe referimi jo i mirë në disa takime. Ne ani pse nuk po arrijmë rezultate të mira, megjithatë në çdo ndeshje po tregojmë futboll të bukur”, ka theksuar Morina, i cili ka shtuar se “Kosova e Vushtrrisë në takimin e radhës që do ta zhvillojë ndaj Drenicës, kërkon rezultat pozitiv”.

“Ballafaqimi me Drenicën është takim i rëndësishëm. Ne udhëtojmë në Skenderaj të përgatitur për të marrë rezultat të favorshëm”, ka thënë Morina.

komente