Afrim Tovërlani : Projekti i Trepçës ’89, ambicioz
nga AlbaniaSoccer   E premte, 04 Dhjetor 2009 10:31   Shtyp

afrim_toverlani_380461282Numri një i bankinës së Trepçës ’89, Afrim Tovërlani, ka thënë se projekti i skuadrës së tij është ambicioz. Tovërlani, i cili skuadrën e “xehetarëve” e mori për ta drejtuar në mesin e sezonit vjeshtor, ka arritur që në tetë ndeshje të arrijë shtatë fitore dhe se, pikërisht Trepça ’89 është një nga skuadrat pretendent për ta arritur inkuadrimin në elitën e futbollit të Kosovës.

Mitrovicasit në kampionatin e kaluar humbën statusin e anëtarit të Superligës, mirëpo me rezultatet e arritura në sezonin vjeshtor, djelmoshat e Tovërlanit kanë gjasa shumë të mëdha që sërish të jenë pjesë elitare e futbollit tonë.

“Projekti i Trepçës është i mirë dhe ambicioz. Drejtuesit e klubit vazhdimisht po punojnë, në mënyrë që skuadra të ketë kushte sa më të mira”, ka thënë Tovërlani.

“Projekti që janë duke e ndjekur drejtuesit e klubit na rikthen në elitën e futbollit tonë. Jam i bindur se me punën që po bëhet dhe fondin e lojtarëve që kemi, por edhe përforcimet eventuale që do të vijnë në skuadër, do ta arrijmë objektivin tonë: rikthimin në Superligë”, ka thënë trajneri i “xehetarëve”, Afrim Tovërlani.

Trepça ’89 do ta ketë fjalën kryesore

Sipas ish-trajnerit të Prishtinës, Afrim Tovërlanit, skuadra e tij është duke u përgatitur edhe për sfidat që e presin në Superligën e Kosovës në Futboll. Ai beson se ekipi i tij mund të jetë një nga skuadrat kryesore për të garuar për kreun e tabelës.

“Ne në pranverë do ta japim maksimumin që të rikthehemi në Superligë. Qysh tash jemi duke punuar intensivisht, që për Superligë të krijojmë një skuadër që do të jetë në mesin e ekipeve që luftojnë për titull të kampiones. Besoj se ambiciet tona mund t’i arrijmë”, ka theksuar Tovërlani.

Fatmir Bytyçi

 

komente