Fatos Beqiraj qendron tek Budoçnost
nga AlbaniaSoccer   E martë, 01 Shtator 2009 11:34   Shtyp

fatos_beqirajSulmuesi Fatos Beqiraj do ta vazhdojë karrierën në skuadrën e tij aktuale, Budoçnostin nga Podgorica. 21-vjeçari ka thënë se deri në janar të vitit 2010 do të jetë pjesë e kësaj skuadre.

“Kam pasur takim me drejtuesit e klubit. Pas këtij takimi kam vendosur që deri në janar të mbes pjesë e skuadrës së Budoçnostit. Në skuadër nuk ka ndonjë sulmues të mirëfilltë. Drejtuesit e klubit nuk janë të interesuar të më lëshojnë”, ka thënë Fatos Beqiraj.

Ish-sulmuesi i Shqiponjës dhe Besës nga Peja ka pasur oferta nga disa skuadra, mirëpo nuk ka preferuar t’i përmendë emrat e këtyre skuadrave. “Oferta kam pasur nga Turqia, Holanda dhe Portugalia, por tash për tash jam pjesë e skuadrës së Budoçnostit dhe jam i fokusuar vetëm te kjo skuadër”, ka shtuar ai.

Fatos Beqiraj, që ishte shpallur golashënuesi më i mirë në edicionin e fundit në ligën e Malit të Zi, ka kontratë edhe dy vjet e gjysmë me skuadrën e Budoçnostit.


Veton Zymberi

komente