Ne fokus/ Bogdani dhe Kola, futboll në burgun e Fushë-Krujës
nga AlbaniaSoccer   E shtunë, 23 Qershor 2012 07:19   Shtyp

futbol_golPër fat, burgjet sot janë ndryshe nga dikur. Natyrisht, kjo duhet thënë me rezerva pasi është e vështirë të përdoret fjala fat brenda hekurave, veçse një ndeshje futbolli me praninë e dy figurave të njohura të sportit, është padyshim një kënaqësi.
Në burgun e Fushë Krujës u organizua nga ana e drejtorisë së përgjithshme të burgjeve një ndeshje simbolike futbolli mes të dënuarve, në prani të Erion Bogdani dhe Agustin Kolës.

Pra, njerëzit e izoluar prej kohësh për arsye të ndryshme dhe të dënueshme, patën mundësi të shihnin nga afër dhe madje të flisnin me sulmuesin veteran dhe rekordmen të golave në kombëtare si dhe me një nga legjendat bardheblu, edhe ky ish-sulmues i kombëtares.

Kuptohet, nuk u fol për rezultat, ndonëse ndeshja një të tillë e pati, por thjesht për një variacion dhe një kënaqësi që zgjati jo edhe aq pak.
Në përfundim, drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Gazmend Dibra, shprehet i kënaqur me arritjen e qëllimit.

Nuk është keq një aktivitet i tillë, pasi edhe një i dënuar mund të jetë një jetë që mund të shpëtohet, pavarësisht gjithçkaje. Nayrisht, kjo le të jetë në një kuadër më të gjerë dhe shpresojmë që t’i shohim shpesh lojtarët e kombëtares në sheshet e lagjeve për të luajtur bashkë me fëmijët, në mënyrë që në të ardhmen të kemi më pak të dënuar.

komente