Italia/ Atilio Teser : Samiri është një portier për Serinë A
nga AlbaniaSoccer   E enjte, 13 Shtator 2012 18:56   Shtyp

sajmir_ujkani_novaraDy humbjet e Palermos në javët e para të kampionatit italian kanë bërë që të kritikohet paraqitja e çdo lojtari të kësaj skuadre, përfshirë edhe Samir Ujkanin që tashmë është portieri titullar i siçilianëve.

Në mbrojtje të gardianit të portës shqiptare ka dalë ish-trajneri i tij te Novara, Atilio Teser, që e ka patur atë pjesë të ekipit nga viti 2010, deri në sezonin e kaluar. Me këtë skuadër ata ishin protagonistë duke u ngjitur nga Lega Pro në Serinë A brenda dy viteve.

“Unë nuk kam asnjë dyshim, Samiri është një portier për Serinë A dhe e ka treguar plotësisht këtë në radhët e Novaras. Nëse gjërat nuk ecin në nivel skuadre, faji nuk është vetëm i portierit”, deklaroi Teser për portalin Livesicilia.it.


“Ujkani ka një CV të shkëlqyer, ka edhe eksperiencë ndërkombëtare. Sipas meje, ai i ka të gjitha letrat në rregull për të bërë mirë me fanellën e Palermos. Klubi ka patur dhe do të vazhdojë të ketë besim te ai”, përfundoi Teser.


Në dy ndeshjet e para, Ujkani ka patur përballë si kundërshtarë skuadrat e Napolit dhe Lacios, të cilat kanë në gjirin e tyre disa nga sulmuesit më të fortë në Itali. Për këtë arsye, disa nga ekspertët e futbollit italian kanë bërë të qartë se ai nuk ka patur faj në këto humbje, e për më tepër ndaj Lacios ai ka qenë ndër më të mirët në fushën e lojës duke shpëtuar skuadrën e tij nga gola të tjerë të sigurt.

Kel Naraci

komente