Ne fokus/ Gati Liga Ballkanike, Shqipëria jashtë
nga AlbaniaSoccer   E premte, 12 Tetor 2012 11:47   Shtyp

FlamurNjë Ligë Ballkanike për të bashkuar skuadrat më të rëndësishme për të luajtur në një kampionat të vetëm. Një ide e tillë përflitet prej vitesh dhe shihet si mënyrat për të tërhequr interes drejt skuadrave të vendeve të këtij rajoni, por edhe për të rritur cilësinë e futbollit.

Tashmë gjithçka duket se është konkretizuar. Në fakt, në mes të shtatorit, në Budva është zhvilluar një mbledhje sekrete ku është diskutuar për realizimin e kësaj ideje. Ndërkohë, iniciatore për krijimin e Ligës Ballkanike është pikërisht UEFA.


Në shkrimin me titull: UEFA urdhëron, të gjithë në Ligën Ballkanike, gazeta kroate “Globus”, ka zbuluar se Konfederata Europiane ka planifikuar një aktivitet me 16-skuadra.


Por, edhe pse në titull specifikohet fjala “të gjithë”, Liga Ballkanike që po planifikohet nuk është gjithëpërfshirëse për rajonin. Në fakt, aty nuk është marrë parasysh prezenca e skuadrave nga Superliga shqiptare, nga Superliga Kosovare, madje as nga kampionati grek.


Në mbledhjen e zhvilluar në 17 ose 18 shtator, të pranishëm ishin vetëm drejtuesit e Federatave të Futbollit nga shtetet e ish-Jugosllavisë. në fakt, Liga Ballkanike po planifikohet rreth tyre, ku të praishme do të jenë klube nga Kroacia, Serbia, Sllovenia, Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia.


Ndërkohë, në mbledhjen ku prezent ishin edhe Teodor Teodoris, Shef i bashkëpunimit me Federatat Kombëtare dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-së, Joan Lupesku nga Rumania është diskutuar edhe përfshirja e skuadrave nga Bullgaria dhe Hungaria.


E përditshmja kroate “Globus” nënvijëzonte se të gjithë të pranishmit në takimin sekret në Budva janë shprehur shumë të interesuar për formimin e Ligës Ballkanike, mbi të gjitha duke parë rivalitetin dhe spektaklin që ofrojnë grupimet e zjarrta të tifozëve të vendeve të ish-Jugosllavisë.

komente