Ne fokus/ Në Milano 15 talentë shqiptarë
nga AlbaniaSoccer   E mërkurë, 07 Nentor 2012 15:07   Shtyp

taci_anikaNjë kujtim që do të mbetet gjatë në mendjen e tyre. Si do që të jetë e ardhmja, edhe nëse nuk do të behën futbollistë profesionistë, gjithmonë do të kujtojnë se kanë jetuar një ëndërr, një ëndërr e bërë realitet falë bashkëpunimit të grupit ‘Taci Oil’ me klubin e Milan.

Siç shkruan AS, 15 fëmijët nga Shqipëria dhe Kosova, fitues të edicioneve të fundit të ‘Milan Junior Camp’ kanë mbyllur me sukses edicionin e këtij viti të ‘Milan Day’, një organizim gjigant i klubit më të titulluar në botë.

Për dy ditë me radhë talentet shqiptarë janë përballur në Milano me moshatarët e tyre nga 40 vende të botës, ndërsa edhe një herë kanë konfirmuar pritshmërinë e trajnerëve të moshave të Milan që i përzgjodhën gjatë edicioneve të ‘Milan Junior Camp’ në Tiranë, Prishtinë e Mitrovicë.


Një mundësi e artë për të evidentuar talentin në sytë e skautëve të skuadrës kuqezi italiane, por edhe të ekipeve të tjera, të pranishëm në të gjitha ndeshjet e turneut të ‘Milan Day’.


Por kjo është vetëm një anë e medaljes. Tjetra i përket emocioneve që ofron rasti, që vjen vetëm një herë në jetë: të veshësh fanellën dhe të ndjehesh pjesë e një prej skuadrave më të mëdha të historisë së futbollit.


E kanë përjetuar këtë 5 fëmijët e edicionit të pestë të ‘Milan Junior Camp’ në Shqipëri dhe 10 të dalë nga dy edicionet e para zhvilluara në Kosovë, të cilët kanë zënë edhe një vend nderi në ‘Milan Day 2012’.


Por qershia mbi tortë e kësaj eksperience, kulmi i emocioneve për të gjithë futbollistët e vegjël ishte të shihnin nga afër dhe në tempullin e futbollit italian ‘San Siro’, idhujt e tyre të Milan në ndeshjen e kundër Kievos të mbyllur me fitoren 5-1 të kuqezinjve.


Vitin e ardhshëm të tjerë fëmijë nga Shqipëria dhe Kosova do të kenë mundësi të jetojnë këtë ëndërr. Grupi ‘Taci Oil’ dhe Milan e kanë kthyer në traditë ‘Milan Junior Camp’, një projekt gjigant ku protagonistë janë vetëm fëmijët.

komente