Ukraine/ Bakaj i jep fitoren Chernomorets
nga AlbaniaSoccer   E hënë, 12 Nentor 2012 18:44   Shtyp

elis_bakajPas çdo jave që kalon, Elis Bakaj konfirmohet si vendimtar te Chernomorets Odessa. Sulmuesi shqiptar ishte protagonist absolut edhe në fundjavën që sapo kaloi, në fitoren që skuadra e tij regjistroi në fushën e Arsenal Kyiv në kampionatin ukrainas të futbollit.

Chernomorets regjistroi një fitore shumë të rëndësishme 1-0 ën transfertë, ndërsa goli me vlerë tri pikësh u realizua pikërisht nga lojtari shqiptar, në minutën e 45-të të ndeshjes. Kjo ishte rrjeta e katërt e Bakajt në këtë sezon në Ukrainë.


Ndërkohë, mjaft interesant është fakti se golat e shënuar nga 25-vjeçari gjatë këtij edicioni kanë qenë gjithmonë shumë të rëndësishëm. Duke llogaritur edhe ndeshjen kundër Arsenal Kyiv, në total Bakaj i ka dhënë Chernomorets Odessa-s, 10-pikë nga 23 që ka skuadra në klasifikimin e përgjithshëm, ku renditet në vendin e pestë.


Interesant është edhe fakti që sulmuesi festoi me gol rikthimin në Kombëtaren shqiptare. Pas disa muajsh mungesë, ai do ti bashkohet përfaqësueses së drejtuar nga Gianni De Biasi për miqësoren e 14-nëntorit kundër Kamerunit në Gjenevë.


Në këtë miqësore luksi, prezent do të jetë edhe shqiptari tjetër i Chernomorets-it, Kristi Vangjeli. Mbrojtësi i cili është rikuperuar pas një dëmtimi të gjatë në gju, duket gati, ndërkohë që në ndeshjen e fundjavës ai qëndroi gjatë gjithë 90-minutëshit në stol.

komente