Çeki/ Shënon Bekim Bala, shkodrani i jep fitoren Spartës së Pragës
nga AlbaniaSoccer   E diel, 18 Nentor 2012 20:01   Shtyp

Bekim_Bala2Ai nuk ka shumë fjalë, madje as shumë gola, veçse zakonisht i jep 3 pikë skuadrave të tij për çdo rrjetë. Bekim Bala e kishte zakon këtë tek Tirana duke fituar Kupën e Superkupën me golat e tij, ndërsa të shtunën i siguroi një fitore të rëndësishme Spartës së Pragës me një gol të vetëm.

Sulmuesi kuqezi shënoi kur kishin mbetur vetëm 10 minuta deri në fund të takimit dhe ishte një gol sakrifice. Ndonëse përballë ishte skuadra e vendit të parafundit, sërish Sparta e pati shumë të vështirë, ndërsa fitorja i duhej për të rivendosur diferencën 1-pikëshe ndaj Viktorias së Plzenit që kryeson Gambrinus Ligën çeke.

Për Bekimin shkodran ky ishte goli i tretë në 11 ndeshje të luajtura në kampionat si dhe i pesti në sezon, ndërsa shpreson të dalë kampion i Çekisë dhe të ecë sa më shumë në Ligën e Europës, aty ku ka realizuar një herë dhe ku Sparta është e pozicionuar shumë mirë, bashkë me Lionin francez.

Kjo vjeshtë duket shumë e mbarë për sulmuesin me numrin 9 pasi së fundmi u ftua edhe në ekipin përfaqësues nga trajneri Xhani De Biazi, madje duke luajtur disa minuta në miqësoren ndaj Kamerunit, zhvilluar në Gjenevë të Zvicrës dhe përfunduar pa gola.

Aq pak minuta i mjaftuan për t’u treguar i rrezikshëm ndaj mund të thuhet se në kombëtare konkurrenca në repartin e sulmit është rritur edhe më shumë.

komente