Ne fokus/ Xhaka në Prishtinë: Do të mundohem të jem shembull i mirë për shqiptarët
nga AlbaniaSoccer   E diel, 23 Dhjetor 2012 15:48   Shtyp

granit_xhakaNjëri prej futbollistëve më të mirë të kombëtares zvicerane të futbollit, Granit Xhaka ka mohuar të premten në Prishtinë se qëllimisht e ka humbur golin kundër kombëtares së Shqipërisë në ndeshjen eliminatore për botërorin “Brazili 2014”. Ai tha se nuk e mori topin mirë dhe nuk e konkretizoi në mënyrën e duhur.

Mirëpo, ai la të kuptohet se shansin që e ka humbur në Zvicër do ta konkretizojë në ndeshjen kthyese në Tiranë. “Nuk e mora topin mirë. Portieri doli dhe nuk desha të lëndohesha, kjo është e tëra. Mirëpo do ta shohim në Tiranë”, tha ai para gazetarëve në Prishtinë. “Shqipëria ka një skuadër shumë të mirë. Këtë e kemi parë në ndeshjen e parë, por megjithatë ne (Zvicra) jemi favoritë”, shtoi Xhaka.

Anëtari i skuadrës gjermane Borussia Mönchengladbach ka mbërritur në Prishtinë bashkë me familjen e tij për t’i kaluar festat e fundvitit. Mirëpo aty menjëherë ka pasur një agjendë shumë të ngjeshur. Ylli i Bundesligës u nderua me çmimin “Ambasador nderi” nga Sporti pa kufij. Ai vizitoi selinë e organizatës franceze “Sport Sans Frontiere”, ku u prit nga ambasadorja franceze në Kosovë, Estelle Maitre. Këtë çmim para tij e kishte marrë legjenda e futbollit franceze Lilian Thuram.

“Jam shumë i nderuar për këtë çmim. Unë do të mundohem edhe në të ardhmen që sa më mirë të prezantoj veten dhe të jem shembull i mirë për shqiptarët”, tha Xhaka, i cili trë premten vizitoi e KF Prishtina, ku u prit nga drejtori i klubit, Remzi Ejupi, dhe nënkryetari, Ahmet Kurtolli. “Jam shumë i lumtur që jam në mesin tuaj”, tha Xhaka, i cili para shumë gazetarëve foli edhe për objektivat e tij në Bundesligë.

Ai nuk harroi të përmendë edhe bashkëlojtarin e dikurshëm në Basel, Xherdan Shaqirin. “Xherdanin e kam shok dhe komunikojmë shpesh me të”, tha Xhaka, duke mos e harruar golin që ai ua dha në ndeshjen e fundit derbi në Bundesligë. “Ishte pak vështirë pasi na dha Xherdani gol, por në fund nga një pikë ishte mirë për të dy. Në fund i ndërruam fanellat”, tha Xhaka.

komente