Ne fokus/ Xherdan Shaqiri takon shqiptarët në Katar
nga AlbaniaSoccer   E premte, 11 Janar 2013 15:26   Shtyp

XHerdan_SHAQIRIStërvitja intensive që skuadra elitare e Bundesligës Gjermane, Bayerni Mynihut, po zhvillon aktualisht në Doha të Katarit, para nisjes së fazës së dytë të kampionatit gjerman, nuk e pengoi aspak lojtarin me origjinë nga Kosova, Xherdan Shaqiri të organizojë një takim të ngrohtë e miqësor me komunitetin e shqiptarëve në këtë vend.
Takimi u zhvillua menjëherë pas fitores spektakolare të Bayernit të Mynihut kundrejt Schalke 04, në një ndeshje miqësore, me rezultat 5-0, ku Shaqirit i mjaftoi vetëm një pjesë e lojës për të dhënë asistin e tij, të cilin e finalizoi në rrjetë sulmuesi me eksperiencë Mario Gomes.
Në shkallët e stadiumit Al-Sadd, ku u zhvillua ndeshja, nuk ishte e vështirë të shquheshin brohoritjet e komunitetit shqiptar, që thërrisnin emrin e Shaqirit papushim. Jo vetëm për kënaqësinë e bashkëpatriotëve të tyre, por edhe gjithë sportdashësve të pranishëm në stadium, performanca e Shaqirit në këtë ndeshje ishte mbresëlënëse.
Në prani të bashkëpatriotëve të tij nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria, Shaqiri u shpreh i entuziazmuar dhe njëkohësisht i lumtur për mbështetjen që komuniteti shqiptar i Katarit i dha në fushën e futbollit, si dhe gatishmërinë e tyre për të ndarë disa çaste vëllazërore së bashku në hotel Grand Heritage, Doha, ku ekipi bavarez është akomoduar.
Shaqiri u shpreh se që prej 6 muajsh që luan me Bayernit ndihet shumë komod dhe i vlerësuar si nga ekipi ashtu dhe nga kolegët.
Takimi u mbyll me urimet më të përzemërta të komunitetit shqiptar të Katarit për suksese të mëtejshme të Shaqirit në arenën ndërkombëtare.

komente