Ne fokus/ TKZ letër federatave sportive
nga AlbaniaSoccer   E martë, 15 Janar 2013 14:19   Shtyp

Tifoz_kuq_e_ziTifozët janë gjithmonë pararoja e ndryshimeve. Ata e dinë më mirë se gjithkush çfarë nevojitet.

Në pritje të hapave konkretë në ëndrrën drejt Ligës Mbarëkombëtare, grupimi më i madh i organizuar, “Tifozat kuq e zi”, vijnë me një tjetër propozim.

Me një letër të hapur, ata i drejtohen Federatave sportive në Shqipëri e Kosovë për atë që e përkufizojnë si “një çështje jetike që lidhet me sportin shqiptar dhe cilësinë e tij”.

“Kërkojmë nga ju që t'i bëni detyrat e shtëpisë në përputhje me interesat kombëtare, theksohej në kërkesën e ‘Tifozave Kuq e Zi’. Konkretisht, në ligat përkatëse lojtarët shqiptarë nga Kosova të konsiderohen si lojtarë vendor, e jo lojtarë të huaj, dhe anasjelltas”.

Si precedent ata përmendin marrëveshjen ndërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit dhe homologes greke, pasi prej vitit 2009 futbollistët shqiptarë luajnë si komunitarë në shtetin helen.

Federatat shqiptare në Shqipëri e Kosovë nuk duhet të sillen si “të huaj” mes tyre, ishte thirrja e tifozëve, që kërkojnë ndryshim në një kohë sa më të afërt të mundshme.

“Kjo nuk nënkupton që kemi hequr dorë nga liga e përbashkët, por kjo le të shërbejë për periudhën derisa nuk është krijuar diçka e tillë. Nëse nuk i ndihmojme vetes, askush s'do të na ndihmoj!”, e mbyllte letrën grupimi “Tifozat Kuq e Zi”.

komente