17 Shkurti, test per futbollistet qe kerkojne vend ne perfaqesuese | ||||
|
Përzgjedhësi i përfaqësues së Kosovës në Futboll, Albert Bunajku të hënën në një takime medie ka folur rreth ndeshjes revyale në mes përzgjedhjes së Superligës së Kosovës në Futboll dhe përzgjedhjes elitare të Shqipërisë, ndeshje kjo që tashmë zyrtarisht do të luhet më 17 shkurt, për ndër të ditës së pavarësisë së Kosovës. Fillimisht para medieve të shumta konfirmimin zyrtar për këtë takim të karakterit bamirës e ka bërë sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu. “Është arritur marrëveshja mes FFK-së dhe FSHF-së që për nder të dyvjetorit të pavarësisë së Kosovës të zhvillohet një ndeshje revyale, por që do të ketë edhe karakter bamirës, sepse të gjitha të ardhurit nga kjo ndeshje do të shkojnë për familjet që kanë pësuar nga vërshimet në rrethin e Shkodrës”, ka thënë Salihu, i cili ka shtuar se “ndonëse ende nuk kemi konfirmim me shkrim nga sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, megjithatë ne jemi njoftuar se Komiteti Ekzekutiv (KE) i Federatës shqiptare të Futbollit (FSHF)-së ka marrë vendim që të zhvillohet kjo ndeshje, madje për këtë është shtyrë edhe rrethi i radhës për Kupën e Shqipërisë”. “Ne presim edhe konfirmimin me shkrim dhe ne do të nisim përgatitjet për këtë ndeshje”, ka theksuar Salihu. Ndërkaq përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës Albert Bunjaku, ka theksuar rëndësinë historike të ditës së 17 shkurtit dhe kjo ka qenë në agjendën e tij dhe të FFK-së që dita e pavarësisë së Kosovës të shënohet më një ndeshje të tillë. “Të gjithë e dimë se organizimi i këtyre ndeshjeve është i vështirë, por kjo gjithsesi nuk varet nga ne, sepse nuk është datë në kalendarin e UEFA-s dhe FIFA-s, por takimi i 17 shkurtit, do të jetë një test i mirë për të gjithë ata që konkurrojnë për përfaqësuese. Ky është vetëm një fillim dhe ne do të tentojmë që të zhvillojmë sa më shumë ndeshje, por kjo varet edhe nga zhvillimet politike në Kosovës, por ne gjithsesi do të kërkojmë partner, të cilët do të kenë mundësi dhe guxim që të luajnë me ne”, ka thënë Bunajku, i cili ka shtuar se për ndeshjen në mes përzgjedhjes së Superligës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, për shkak se shumë kampionate janë duke u zhvilluar nuk do të kemi mundësi të përfshijmë lojtarë të shumtë të Kosovës që luajnë në skuadrat e huaja, por do të tentojmë që t’i ftojmë disa futbollistë në rajon të Kosovës që më parë kanë luajtur në Kosovë, ndërsa tash luajnë në Shqipëri apo Maqedoni, por kjo varet pak a shumë edhe nga klubet ku ata luajnë. I pari i bankinës së përfaqësues së Kosovës, Albert Bunjaku, ka folur edhe për testet që i kanë kryer futbollistët e përfaqësues duke theksuar se “rezultatet janë analizuar dhe ato mund krahasohen dhe përputhen deri diku me lojtarët në rajon, por jemi larg atyre në që luajnë ligat evropiane”. “Ne duhet të punojmë dhe me punë do t’i arrijmë të gjitha, por nevojitet durim nga të gjithë për të përmbushur objektivat tona”, ka pohuar Bunjaku, i cili më pas ka folur edhe për punën që po bëhet në strukturimin e Përfaqësueses U-15.
Fatmir Bytyçi
Set as favorite Bookmark Email this Hits: 4404 |