Kosove / Uliks Emra perseri evitohet nga lista! | ||||
|
Sulmuesi këmbëshpejtë Uliks Emra ka filluar të harrojë se kur është grumbulluar për herë të fundit në përfaqësuesen e Kosovës në Futboll Sulmuesi Uliks Emra prej ardhjes së Albert Bunjakut në krye të përfaqësueses së Kosovës në Futboll asnjëherë nuk ka pasur rastin të marrë ndonjë ftesë. Sipas sulmuesit prizrenas, një gjë e tillë vështirë se do të ndodhë edhe për ndeshjen miqësore të 17 shkurtit, ku të përzgjedhurit e Albert Bunjakut do të përballen me djelmoshat e Josip Kuzhes për nder të dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë. “Ende nuk kam marr ndonjë ftesë nga përzgjedhësi për ndeshjen e 17 shkurtit. Përveç kësaj, nuk kam qenë asnjëherë i ftuar gjatë grumbullimeve që janë bërë nga përzgjedhësi. Kjo rezulton se nuk jam as në mesin e 60 futbollistëve më të mirë në Kosovë”, ka thënë Uliks Emra. I pyetur se a e ndjen veten të zhgënjyer pas këtyre anashkalimeve, Emra ka thënë: “Normalisht se zhgënjimi ekziston, pasi për dhjetë vjet kam qenë ndër futbollistët më të rregullt në përfaqësuese. Unë nuk dua të flas shumë rreth kësaj teme, pasi është një vendim i përzgjedhësit dhe e respektoj çdo vendim të tij”. Uliks Emra aktualisht është pjesë e skuadrës së Lirisë nga Prizreni. Ai më herët ishte pjesë e Prishtinës, Vëllaznimit dhe Trepçës. Kontaktoi me përzgjedhësin e përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjakun, ka qenë i pamundur, por kontakti ka qenë i mundur me ndihmëstrajneri përfaqësueses, Genc Hoxhën, por ky i fundit nuk ka dashur të flasë rreth rastit të Uliks Emrës. “Nuk jam kompetent të flas për këtë temë. Jam trajner në përfaqësuese dhe e bëj punën time”, ka thënë Genc Hoxha. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 4299 |