Fatos Beqiraj : Benfika do te realizonte endrren time | ||||
|
Sulmuesi pejan Fatos Beqiraj është një nga futbollistët që këto ditë të merkatos së janarit gjendet në “radar” të skuadrave të mëdha evropiane. Beqiraj, që karrierën e futbollit e nisi në tokën pejane, por që famën e një lojtari evropian e arriti në Buduçnost të Malit të Zi, është shumë afër ta nisë aventurën e parë ndërkombëtare. Gjigantet e Portugalisë, Benfika dhe Braga, por edhe ata spanjollë, Sevilla e Atletico Madrid, kërkojnë shërbimet e Beqirajt, futbollistit të cilit që në paraqitjen e parë në radhët e Buduçnostit i kishte duartrokitur legjenda e futbollit malazez, Dejan Saviçeviç. Ish-sulmuesi i Besës së Pejës, Fatos Beqiraj, ka thënë se fundjava do të jetë përcaktuese për të ardhmen. “Gjerat po ecin mirë. Fundjava që vjen do të jetë përcaktuese për të ardhmen time”, ka thënë Beqiraj, i cili ka shtuar se “të mërkurën do të rikthehet në skuadrën e Buduçnostit”. “Menaxheri im vazhdimisht është në kontakte me skuadrat që kërkojnë shërbimet e mia. Bëhet fjalë për skuadrat e mëdha si Benfika, Braga, Sevilla e Atletiko Madrid”, ka theksuar Beqiraj, duke shtuar ndërkohë se “Transferimi im i mundshëm në njërën nga këto skuadra të mëdha do ta realizonte ëndrrën time për t’i prekur fuqitë e mëdha të futbollit evropian”.
I gatshëm për Kosovën
Beqiraj, që më parë ka marrë nënshtetësinë e Malit të Zi dhe se ka luajtur disa takime me përfaqësuesen e këtij shteti fqinj, thotë se është i gatshëm t’i përgjigjet përfaqësueses së Kosovës. “Në kohën kur Kosova pranohet në FIFA, unë jam i gatshëm ta ndihmoj vendin tim. Asnjë ftesë të përfaqësueses së Kosovës nuk do ta refuzoj”, ka theksuar Beqiraj, i cili ka shtuar se, qysh kur ka nisur hapat e parë në futboll ka pasur qëllim që një ditë të bëhet lojtar i madh. “Qysh si fëmijë, por edhe në kohën sa kam qenë në Besën e Pejës, kam dëshiruar që një ditë të arrijmë lart në futboll. Fama ime u arrit në Buduçnost, por edhe në kohën sa kam qenë në Besë, kam pasur paraqitje të mira. Të gjitha këto i kam arritur vetëm me punë. Puna është çelësi i suksesit tim”, ka përfunduar sulmuesi nga Kosova, Fatos Beqiraj. Fatmir Bytyçi
Set as favorite Bookmark Email this Hits: 7816 |