Hysi / Skuadra pretendon per Evropen! | ||||
|
I formuar jo më shumë se tetë vjet, Hysi tashmë është një nga klubet më të mëdha në futbollin e Kosovës. Bosi i këtij klubi, Hysen Sadiku, emrin e të cilit e bart skuadra që fitoi finalen “evropiane” të vitit të kaluar të Kupës së Republikës së Kosovës në Futboll ndaj Prishtinës, me punën që ka bërë deri tash ka “shkelur” edhe skuadrat më të mëdha të futbollit tonë. Hysi, krahas punës së madhe që ka bërë në kuadrin e skuadrës, objektiv primar ka pasur punën në infrastrukturën sportive. Puna që është bërë në këtë klub në infrastrukturën sportive është e ngjashme me atë në stadiumet e rajonit. Hysi tashmë ka kushte të njëjta me skuadrat e rajonit dhe se, me punën që po bëhet në vazhdimësi në këtë klub, ekzistojnë të gjitha mundësitë që shumë shpejt ky klub t’u ngjajë klubeve evropiane.
Morina: S’ka si Hysi
Drejtori sportiv i këtij klubi, Arbnor Morina, është shprehur i kënaqur me punën që po bëhet në këtë klub. Sipas tij, ky klub ka ambicie ta prekë futbollin evropian. “Kushtet që ne punojmë në këtë klub janë jashtëzakonisht të mira. S’ka klub në Kosovë, që ka kushte më të mira se ne”, ka thënë Morina. “Pronari i klubit tonë, me gjithë qenien e tij është duke punuar që të krijojë kushte sa më të mira. Bosi i klubit në projektin e tij synon që Hysin të bëjë klub evropian”, tha Morina. Ai ka shtuar se i gjithë klubi aktualisht punon në mënyrë profesionale. Sipas tij, pikërisht puna profesionale ka sjell edhe rezultatet e larta që ka arritur kjo skuadër me nam në futbollin tonë. “Të gjithë ata njerëz që janë të angazhuar në klub japin maksimumin. Punohet vërtet në mënyrë profesionale në të gjitha segmentet dhe se, falë punës që bëhet në klub po arrihen sukseset e kënaqshme”, ka theksuar Morina.
Macula: Hysi i kryen me kohë obligimet e veta
I kënaqur me punën që bëhet në klub është shprehur edhe Afrim Macula, zyrtar i lartë i Hysit. Ai ndihet i kënaqur që Hysi ka infrastrukturën më të mirë në futbollin tonë. “Dua të them realisht se jam shumë i lumtur me punën që kemi bërë në infrastrukturën sportive. Më meritori për tërë këtë punë që është bërë është bosi i klubit, i cili s’po kursen asgjë vetëm që të krijojë kushte sa më të mira për futbollistët”, ka theksuar Macula, i cili ka shtuar se Hysi me kohë i kryen të gjitha obligimet që ka ndaj futbollistëve. “Jam i bindur se asnjë klub në Kosovë nuk i paguan më mirë dhe me kohë futbollistët. Nuk i kemi borxh asnjë futbollisti dhe jam i bindur se futbollistët e Hysit marrin paga mjaft të mira”, ka thënë Macula. Sipas tij, Hysi në kohën kur futbolli i Kosovës do të pranohet në arenën ndërkombëtar, do të jetë i gatshëm për sfidat evropiane. “Synimi ynë primar është të punojmë edhe më tutje në krijimin e kushteve, në mënyrë që një ditë, kur futbolli ynë të pranohet në garat ndërkombëtare, ne do të jemi të gatshëm për garat evropiane”, ka përfunduar Macula. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3453 |