Raiffeisen Superliga Femra/ Kosova e Prishtinës kampione e re në futbollin kosovar | ||||
|
Kosova e Prishtinës në konkurrencën e femrave është kampione e re në futbollin kosovar. Vashat e kryeqytetit, të mërkurën, kanë mposhtur Prishtinën, me rezultat 4:3, kurse pas ndeshjes kanë festuar trofeun, të cilin ua ka dorëzuar anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Vjollcë Krasniqi. Për klubin nga lagjja Kodra e Trimave, që është themeluar para dhjetë vjetësh, ky është titulli i dytë i kampionit. Kosova (P) e mbylli kampionatin me 33 pikë të arkëtuara. “Konkurrenca ka qenë e fortë, por ne ishim më të mira se skuadra e tjera dhe me meritë jemi kampione”, ka theksuar kapitenia e Kosovës (P), Lumturije Muhadri. Ndeshja e fundit e edicionit u përshkrua me rivalitet, kurse pati edhe rrebesh golash. Prishtina e para kaloi në epërsi në minutën e 15-të me golin e Liridona Sylës. Dhjetë minuta më vonë futbollistja më e mirë në vend, Suada Jashari, barazoi rezultatin 1:1, ndërsa Blerta Kaçiu shënoi për 2:1 në minutën e 34-t. Edhe pjesa e dytë solli gola të shumtë. Blerta Kaçiu shënon golin e dytë për epërsinë 3:1, në minutën e 46-të, kurse Shqipe Berisha çoi shifrat në 4:1, në minutën e 60-të. Megjithatë skuadra e Prishtinës nuk u dorëzuar deri në fund, duke realizuar dy gola, për ta ngushtuar epërsinë në 4:3. Në minutën e 65-të shënoi Qëndresa Krasniqi nga penalltia, kurse rezultatin përfundimtar e vendosi Edona Kryeziu po ashtu nga penalltia. “Edhe pse kishim mungesa në skuadër, mendoj se kemi treguar lojëra të mira në stinorin pranveror. Deri këtu kemi arritur me punë të zellshme e disiplinë. Këto vasha meritojnë lëvdate për angazhim dhe lojëra cilësore. Disa prej vajzave luajnë në kombëtaren shqiptare dhe me lojërat e tyre janë mahnitur edhe stafi kombëtares”, ka thënë trajneri i Kosovës (P), Naim Pevçeli. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 4189 |