Raiffeisen Superliga/ Besa e Hysi nuk e gjejnë fitoren as në javën e tretë | ||||
|
Besa dhe Hysi mbeten pa fitore edhe pas javës së tretë. Këto dy skuadra e kanë mbyllur pa fitues dhe pa gola përballjen e tyre të sotme në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë, në sfidën e parë të javës së 3-të në Raiffeisen Superligë. Pejanët mbizotëruan në mbajtjen e topit por pa arritur të krijojnë raste të mira shënimi para portës së Ademit. Në anën tjetër, futbollistët e Hysit u treguan tejet të rrezikshëm nëpërmjet kundërsulmeve, me ç’rast shpërdoruan një numër të madh të rasteve. Mundësia e parë iu dha Labinot Osmanit, në minutën e 9-të, por ky i fundit nga afërsia i papenguar gjuajti me të parën jashtë kuadratit të portës, edhe pse kishte zgjidhje shumë më të mira për ta përfunduar me sukses këtë aksion. Një mundësi të mirë shënimi për mysafirët e lëshoi edhe Fiton Hajdari, kur gjuajti nga brendësia e zonës, por Bytyçi arriti ta dëbojë topin. Rastin e radhës e pati Leart Emini, kur doli i vetëm para ‘gardianit’ pejan, por gjuajti drejt në duart e tij. Dy minuta më vonë Labinot Osmani doli sërish në pozitë të mirë, por golin ia mohoi mbrojtësi pejan, Granit Ademaj. Një gjysmërast për të shënuar në këtë pjesë e patën edhe pejanët, kur Adis Saliu në minutën e 35-të gjuajti nga krahu i majtë në brendësi të zonës, por portieri i Hysit ishte i sigurt. Edhe në pjesën e dytë Hysi kishte raste më të mira shënimi. Rastin e parë e pati Labinot Osmani në minutën e 64-t kur u shërbye nga Leart Emini në zonë, por nga një pozitë ideale gjuajti jashtë portës. Në minutën e 73-të Besa mbeti me një lojtar më pak, pasi Florent Papuçi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, por këtë epërsi numerike llapjanët nuk arritën ta shfrytëzojnë. Madje në minutën e 80-të pejanët shënuan gol, por ai nuk u pranua nga gjyqtari Fatmir Tahiri për prekje me dorë. Ishte sulmuesi pejan, Egzon Gashi, i cili e preku topin me dorë gjatë dërgimit të topit në rrjetën e portës së Hysit. Deri në fund të ndeshjes një mundësi tejet të mirë e lëshoi edhe Fiton Hajdari, kur doli i vetëm para portierit Bytyqi.
Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3451 |