Raiffeisen Superliga/ Drita-Prishtina u mbyll pa fitues, Besa e Hysi shijuan fitoret e para | ||||
|
Skuadra e Dritës ka arritur t’i japë fund serisë së fitoreve të Prishtinës, duke barazuar në derbin e javës së 5-të në Raiffeisen Superligë. Ndeshja e zhvilluar, të dielën, në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, në praninë e rreth 7.000 tifozëve u mbyll me shifrat 1-1. Të parët në epërsi kaluan mysafirët, me golin e shënuar nga Florim Bërbatovci, në minutën e 20-të, por gjilanasit arritën të barazojnë shifrat në minutën e 51-të, me golin e shënuar nga Ismet Caka me kokë pas harkimit të Genc Sermaxhajt. Deri në fund të ndeshjes mundësinë më të mirë për të ndryshuar shifrat e kësaj sfide e kishte kapiteni i Prishtinës, Driton Krasniqi, në minutat shtesë, kur me gjuajtje me kokë e qëlloi traversën e portës së Artan Latifit. Ndërkohë, Besa dhe Hysi kanë shënuar fitoret e para në këtë edicion. Besa e ka mposhtur me mjaft vështirësi Feronikelin, me rezultat 2-1, me golat e shënuar nga Egzon Gashi (68') dhe Diar Miftaraj nga penalltia (86'), derisa golin e epërsisë së përkohshme për skuadrën nga Drenasi e realizoi Doshlaku nga penalltia (55'). Ndërkaq, Hysi është treguar bindës kundër Hajvalisë, duke e mposhtur me rezultat 3-0. Golat për Hysin i shënuan Zeqiri në minutën e 10-të, Hajdari në minutën e 23-të dhe Islami dy minuta para fundit të takimit. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 4027 |