Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së XV në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll dhe të dyja kanë përfunduar pa gola. Skuadra e Drenicës e ka mbyllur 0:0 sfidën me skuadrën kampione në fuqi, Prishtinën, duke e çuar serinë e saj në shifrën e 14 ndeshjeve pa fitore. Për kuqezinjtë e Skenderajt ky ishte barazimi i 10-të në këtë edicion. Vendasit luajtën më mirë dhe rrezikuan disa herë portën e prishtinasve, por nuk arritën të gjejnë rrugën e golit, derisa skuadra e Afrim Tovërlanit vetëm një herë kërcënoi portën e Beqirit dhe me lojën e shfaqur nuk e meritoi as këtë pikë. Edhe sfida tjetër e ditës së sotme në Merdar ndërmjet Hysit dhe Trepçës ka përfunduar pa gola. Rastin më të mirë në këtë ndeshje e patën vendasit, kur Labinot Osmani, në minutën e 17-të, me gjuajtje të fortë nga 20 metra e qëlloi shtyllën pingule.
|