Sokoli dhe Toverlani me te favorizuarit | ||||
|
Kapiteni i Trepçës, Elvis Osmani, si dhe kapiteni i Drenicës, Sami Geci, në garën për trajner të vitit kanë favorizuar strategun Bylbyl Sokoli. Sipas tyre, Sokoli është trajner profesionist, që ka arritur t’i prekë të gjithë titujt në futbollin tonë. Ndryshe, kapiteni i Prishtinës, Isuf Llumnica, ka favorizuar ish-trajnerin e Prishtinës, Afrim Tovërlanin. Sipas tij, Tovërlani ka korrur sukses të madh me “bardhekaltrit” në dy vjetet e fundit Nga Fatmir Bytyçi Prishtinë, 28 dhjetor - Kapiteni i skuadrës kampione të sezonit vjeshtor, Trepçës, Elvis Osmani, ka thënë se strategut Bylbyl Sokolit duhet t’i takojë çmimi për trajner më të mirë të vitit 2009. Ndarja e laureatëve më të mirë për vitin që është në ikje do të mbahet më 6 janar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK). Sipas Osmanit, Sokoli meriton këtë çmim, për faktin se është një nga trajnerët që më së shumti ka arritur tituj në futbollin e Kosovës. “Mendoj se trajner i vitit do të shpallet Bylbyl Sokoli. Ai është trajner i mirë. Ka arritur t’i prekë të gjithë titujt në futbollin tonë”, ka thënë Osmani. “Asnjëherë s’kam punuar me Sokolin, por çdo skuadër të cilën e ka drejtuar ai, suksesi nuk ka munguar, prandaj meriton të jetë më i miri”.
Geci lavdëron Sokolin dhe Shoshin
Edhe homologu i Elvis Osmanit, Sami Geci, kapiten i skuadrës së Drenicës, ka lavdëruar punën që bën trajneri Sokoli. Ai ka thënë se Sokoli meriton çmimin trajner i vitit, por, sipas Gecit, në këtë vallë duhet të jetë edhe trajner i tij, Valdet Shoshi. “Bylbyl Sokoli është trajner profesionist. Ai e përgatit mjaft mirë ekipin në çdo pikëpamje dhe se, meriton të shpallet trajner i vitit 2009. Por në këtë vallë mendoj se duhet të jetë edhe trajneri Valdet Shoshi, i cili punon mjaft mirë”, ka thënë Geci.
Llumnica: Afrim Tovërlani trajner i vitit
Ndryshe, kapiteni i kampionës në fuqi, Prishtinës, Isuf Llumnica, ka thënë se ish-trajneri i kryeqytetasve, Afrim Tovërlani, duhet t’i takojë çmimi trajner i vitit. Sipas Llumnicës, Tovërlani ka pasur sukses të madh në dy vjetët e fundit me skuadrën e Prishtinës. “Mendoj se për sivjet epiteti i trajnerit më të mirë duhet t’i takoj Afrim Tovërlanit, i cili pati sukses të madh në këta dy vjetët e fundit me Prishtinën. Sigurisht ai është kampion aktual i Kosovës. Gjithsesi në këtë rast do ta veçoja edhe Bylbyl Sokolin, i cili për mua është trajner shumë i çmuar”, ka theksuar Llumnica. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3017 |