Uliks Emra, i kënaqur me rikthimin në Prizren | ||||
|
Sulmuesi i Lirisë, Uliks Emra, i cili pak ditë më parë është rikthyer në skuadrën prizrenase, ka thënë se ndihet i lumtur që sërish do të jetë pjesë e skuadrës së Lirisë. Emra, që në sezonin vjeshtor mbrojti ngjyrat e Trepçës, thotë se po kalon çaste shumë të mira në skuadrën e Lirisë. Sipas tij, atmosfera në klub është mjaft e mirë dhe se ai pohon se gjatë stërvitjeve po punohet mjaft shumë. “Ndihem mjaft mirë që jam rikthyer në ekipin tim të zemrës, në skuadrën në të cilën e kam nisur karrierën. Klubi, por edhe i gjithë qyteti, më kanë pritur shumë mirë”, ka thënë Emra. “Të hënën i jam bashkuar skuadrës në përgatitje dhe se, po punohet mjaft shumë gjatë stërvitjeve”. Sipas tij, Liria do të jetë një nga skuadrat që do ta ketë fjalën kryesore në pjesën e dytë të garave. Ai thekson se synim i klubit është: plasmani sa më i lartë në renditjen tabelore. “Një pjesë të përgatitjeve është paraparë ta mbajmë jashtë Kosovës, megjithëse ende nuk është caktuar vendi se ku do të shkojmë. Besoj se skuadra e Lirisë do të jetë e gatshme për stinorin pranveror. Lirisht mund të them se kemi një ekip shumë të mirë dhe se, do t’i prishim punë shumëkujt. Objektivi ynë është plasmani sa më i lartë në renditjen tabelore. E, nëse na jepet rasti të luftojmë për titull, pse jo”, ka theksuar Emra, i cili ka shtuar se skuadra e tij ka ambicie të larta edhe në garat e Kupës së Kosovës. “Natyrisht se ne, përveç synimeve që kemi në garat e kampionatit, nuk do të dorëzohemi lehtë as në garat e Kupës së Kosovës. Jam i bindur se kemi fond të pasur të lojtarëve që mund të garojmë në të dy frontet: titullin dhe Kupën e Kosovës”, ka përfunduar Emra.
Fatmir Bytyçi
Set as favorite Bookmark Email this Hits: 3029 |