Maqedonia/ Shaqiri ngelet kryetar i Shkëndijës |
nga AlbaniaSoccer E martë, 14 Gusht 2012 21:11 |  |  |  | |
Paqartësitë rreth të ardhmes së KF Shkëndija nga Tetova kanë marë fund, pasi që Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë pranon ankesën e Nuriman Shaqirit dhe i njëjti konfirmohet si president legjitim i skuadrës tetovare. Deri tek turbullinat e reja erdhi pasi ditë më parë Regjistri Qendror vendosi që presidencën t’ia japë ish-nënkryetarit të klubit Idriz Ibishit, i cili megjithatë nuk arriti të hyjë në skuadër pas disa tentimeve disa ditore. Mirëpo tani situata ndryshon, pasi Shaqiri konfirmohet si kryetar legjitim, ndërsa në njoftimin e Regjistrit Qendror si fakt kryesor dhe vendimtar është vendimi fuqiplotë i Gjygjit të Tetovës. Të lehtësuar pas sqarimit të situatës, drejtuesit e Shkëndijës paralajmërojnë normalizim të funksionimit të punëve në skuadër, së shpejti pritet emërimi i trajnerit të ri, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e angazhimit të ndonjë përforcimi të ri. Ndërkohë vendimi i ri i Regjistrit Qendror ende nuk është komentuar nga ana e Idriz Ibishit.
 |