Miqesore/ Shqiperi-Kamerun 0-0 |
nga AlbaniaSoccer E premte, 16 Nentor 2012 16:45 |  |  |  | |
Shqipëria mbyll me një barazim 0-0 vitin 2012. Në miqëoren e fundit kundër Kamerunit, të luajtur në Gjenevë nuk ka gola, por Gianni De Biasi fiton shumë sa i përket të ardhmes të përfaqësueses kuqezi. Trajneri italian merr sinjale pozitive nga të gjithë lojtarët e rinj të aktivizuar në sfidën ndaj formacionit afrikan. De Biasi i beson dyshes sulmuese Cani-Sadiku, ashtu si debutuesit Arapi në krahun e majtë të mbrojtjes me Lilën, kapitenin Cana e Mavraj që plotësojnë repartin difensiv. Sabien Lilaj niset titullar përkrah Bulkut në mesin e fushës, ndërsa në krahë kërkohet shpejtësia e Vilës dhe Roshit. Zgjedhja rezulton e gjetur, megjithëse në pjesën e parë është Kameruni më kërkues. Skuadra afrikane merr më shumë përsipër, por nuk vendos asnjëherë në vështirësi serioze portierin Berisha.
Nuk bëjnë më shumë futbollistët kuqezi megjithë përpjekjet e Canit dhe Sadikut me goditje nga distanca. Në pjesën e dytë, kuqezinjtë marrin më shumë inisiativë, por rrezikojnë të ndëshkohen në momentin e tyre më të mirë. Samuel Eto i shkon shumë pranë golit të avantazhit në gabimin e parë të mbrojtjes, ndërsa më pas Shqipërisë i duhet edhe ndihma e traversës për të ruajtur barazimin në këtë sfidë. E menjëherëshme do të ishte përgjigja e të besuarve të De Biasi që do të flirtonin me golin në fillim me Sadikun e më pas me Vajushin të aktivizuar në pjesën e dytë të takimit. Nuk shënojnë as kuqezinjtë, duke lënë në fuqi shifrat 0-0 në ndeshjen e fundit për vitin 2012. Rezultati në një miqësore nuk është i rëndësishëm, por De Biasi ka marrë nga kjo sfidë atë që kishte më shumë nevojë. i ka forcuar bindjen vetes se mund të besojë te projekti për rinovimin e kombëtares së Shqipërisë.
Kliko--->Shqiperi-Kamerun ndeshje miqesore (video)
 |