Kombëtarja/ Erion Bogdani: Norvegjia, jo presion finaleje | ||||
|
Në prag të sfidës me Norvegjinë, në kampin kuqezi nuk mungon besimi për një rezultat pozitiv. Prej tri ditësh ekipi kuqezi po përgatitet me intensitet të lartë, në kuadër të ndeshjes së 7 qershorit, që luhet për eliminatoret e Brazil 2014, kundër Norvegjisë. Një ndër veteranët e skuadrës, Erion Bogdani, u shpreh i gatshëm për këtë ndeshje, ndërsa paralajmëroi që ekipi duhet të ketë kujdes ndaj vikingëve. “Unë do të jap maksimumin tim, - tha Bogdani. - Ndihem mirë. Pavarësisht se nuk kam luajtur tek Siena kohët e fundit, jam në gjendje të mirë fizike. Kam bërë stërvitje, shpresoj që brenda një jave nga ndeshja në Qemal Stafa të jap maksimumin, sepse jam në formë të mirë. Kjo ndeshje është shumë më e vështirë se ndeshja që kemi luajtur në Oslo. Atje na nënvlerësuan, por Norvegjia do të vijë këtu për ndeshje të madhe me ekipin tonë. Kjo ndeshje nuk duhet konsideruar si një finale, por si një ndeshje e zakonshme, për të marrë një rezultat pozitiv. Nuk duhet ta ngarkojmë me presion këtë ndeshje si një finale”. Bogdani e ka konsideruar këtë ndeshje të mbyllur, ku gjithçka do të varet nga episodet. “Them që kjo ndeshje do të vendoset nga episodet. Nuk do të jetë një ndeshje spektakolare, por do të varet nga episodet që do të kenë të dyja skuadrat. Nëse do të na paraqiten raste, duhet të shënojmë, sepse edhe Norvegjia, episodet kërkon për të shënuar. Unë jam profesionist dhe do të jap maksimumin për të bashkuar ekipin e për t'i dhënë forcë për rezultat pozitiv”. Bogu komentoi edhe mungesat me të cilat skuadra do të përballet me vikingët. “Janë mungesa të rëndësishme, që ne si ekip duhet t'i mbulojmë. Në fushë futemi me një qëllim të vetëm, për të marrë një rezultat pozitiv kundër Norvegjisë”. Ai tha se dueli me Norvegjinë është edhe ndeshja e fundit që luhet në ‘Qemal Stafa’ para rikonstruksionit të stadiumit. “Duhet të dalim me një rezultat pozitiv, për ta ruajtur si një kujtim të mirë nga stadiumi legjendar i Kombëtares sonë. Unë them që Kombëtarja duhet të ketë një stadium të ri, por kjo është ndeshja e fundit, besoj që do ta mbyllim me një kujtim shumë pozitiv nga ‘Qemal Stafa’ ”. Bogdani ka komentuar edhe qëndrimin e tij në Seria A. “Nuk e kam vendosur se ku do të shkoj pas datës 7, do flas me menaxherin tim se ku do të luaj. Nuk do të flas për ekipin se ku do të jem në të ardhmen. Kjo, sepse duhet t'i përkushtohem maksimalisht ndeshjes që kemi në 7 qershor, për të marrë rezultat pozitiv”. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 4478 |