Në ditën që Shqipëria do të luajë me Gjeorgjinë, edhe përfaqësuesja Shpresa do të zhvillojë një test mjaft të rëndësishëm. Skuadra e drejtuar nga Skënder Gega do të luajë më 6 shkurt me 21-vjeçarët e Maqedonisë. Miqësorja është zyrtarizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, që ka përcaktuar stadiumin e Laçit, si pritës të kësaj ndeshje. Ndeshja e U-21 me bashkëmoshatarët e tyre maqedonas cilësohet si mjaft e rëndësishme për ekipin kuqezi. Trajneri Gega po punon që skuadra të jetë gati për startin e kualifikueseve të Europianit 2015 të kësaj moshe, me ndeshjet që nisin në javët e para të pranverës. Më 31 janar, ata do të njohin kundërshtarët në grupet kualifikues. Under 21 e Shqipërisë ndodhet në vazon e pestë të shortit që do të hidhet në Nyon dhe sipas gjasave grupi pritet të jetë mjaft i vështirë.
 |