Levizjet / Guri Baqaj huazohet tek Halmstad! | ||||
|
Ekipi suedez, Halmstad e ka huazuar futbollistin e Albinoleffes, Guri Baqaj. 19-vjeçari nga Kosova nuk e pati mundësinë t’i shfaqë vlerat e tij tek ekipi nga Serie B italiane (liga e dytë), ndërsa do të luajë në elitën e futbollit suedez deri në verën e ardhshme (31 korrik 2011). Ai ka treguar edhe arsyet se pse vendosi të largohej nga Italia, pas një eksperience mjaft të shkurtër, ku kryesisht ishte pjesë e ekipit të të rinjve. “Kisha disa probleme në Itali. Më kanë dhënë shumë premtime, të cilat nuk i kanë mbajtur. Pastaj, kisha probleme edhe me rrogën, pasi që klubi gjendej në krizë ekonomike. Tek AlbinoLeffe kishte një lloj kaosi”, u shpreh Baqaj për të përditshmen suedeze, Sydsvenskan. Sulmuesi i ri ishte rritur tek ekipi Malmo, me trajnerin e tij historik, Lars Jacobsson, i cili sot është trajner i Halmstadit. Pikërisht emërimi i tij në këtë post bëri që Baqaj ta marrë vendimin që t’i bashkohet trajnerit të tij të vjetër. “Lars Jacobsson beson tek unë. Isha komplet i panjohur kur ai më solli tek ekipi LB07. Ai më ka thënë se ekipi më do, ndërsa për mua nuk kishte një zgjedhje tjetër, veçse ta pranoja këtë ofertë”, vazhdoi ai. Trajneri suedez, Jacobsson gjithmonë i ka pëlqyer lojtarët e rinj. “Është i shkëlqyeshëm, trajner personal i mirë dhe ka kontakte të mira me të gjithë futbollistët. Shihet se është trajner që beson në vetvete dhe është në rritje e sipër. Ai ka kapacitet që në të ardhmen ta udhëheqë ndonjë ekip jashtë Suedisë”, nënvizoi Baqaj, i cili krahasohet me sulmuesin gjerman, Miroslav Klose. Baqaj ka kontratë me AlbinoLeffen deri në verën e vitit 2012. Por, ai nuk e di nëse do të rikthehet më te ky ekip. Ai thotë se gjithçka varet nga ai, duke shtuar se do të mundohet ta japë maksimumin te Halmstadi. Baqaj e konsideroi këtë si zgjidhjen më të mirë, dhe për këtë ka marrë reagime mjaft pozitive. “Duket premtuese dhe mendoj se do të luaj shumë ndeshje. Deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe 15 ndeshje, kështu që unë synoj t’i shënoj 10 gola. Mendoj se mund ta arrij këtë”, përfundoi Baqaj, i cili i kaloi 10 vjet te Malmo, para se të transferohej në vitin 2008 tek ekipi LB07. Ai e ka veçuar përballjen e 22 gushtit ndaj ish-ekipit të tij, Malmo, si mjaft emocionuese. Futbollistin kosovar e ka lavdëruar edhe trajneri i Halmstadit, Jacobsson. “Ai po na impresionon në stërvitje dhe gjithashtu kur luajtëm së fundmi. Ka kualitet të mirë, është i fuqishëm dhe angazhohet shumë. Natyrisht, ai ka nevojë për pak kohë. Më pas mund të jetë një lojtar që mund të kontribuojë për ekipin”, tha Jacobsson. Halmstad e ka mbyllur pjesën e parë të sezonit në pozitën e 10-të me 17 pikë të grumbulluara. Pjesa e dytë e sezonit në Suedi do të fillojë këtë fundjavë, ndërsa Halmstad do të jetë mikpritës i Goteborgut. Përpos Baqajt, te Halmstadi luajnë edhe dy futbollistë shqiptarë: Anel Rashkaj dhe Kujtim Bala. Dardanoz Zhilivoda Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2432 |