Europa League/ Europa League/ Kush jane Norvegjezët e Alesunds ? | ||||
|
Kundërshtari i Tiranës në turin e dytë eliminator të Europa League-s është skuadra norvegjeze Alesunds, e cila është fituesja në fuqi e Kupës në vendin e saj, ndërsa në kampionatin që është në vazhdim e sipër mban vendin e tetë. Megjithëse nuk ka një histori në kupat e Europës, Alesunds merr pjesë për herë të tretë radhazi në këtë kompeticion, ku paraqitjen më të mirë e kanë vitin e kaluar, ku ishin vetëm një hap larg pjesëmarrjes në fazën e grupeve. Për fat të keq, ata u përballën me skuadrën holandeze të AZ Alkmar, e cila i eliminoi me rezultatin e përgjithshëm 7-2. Megjithatë, pjesëmarrja ka qenë dinjitoze, pasi në ndeshjen e parë të luajtur në Norvegji, Alesund fitoi me rezultatin 2-1 për të kapitulluar më pas në Holandë, ku u mund 0-6. Ajo që vlen për t’u theksuar te kundërshtari i ekipit fitues të Kupës së Shqipërisë është se në sezonin 2011-2012 në Europa League kaloi plot tri faza eliminatore. Në turin e parë, eliminoi skuadrën uellsiane Neath me rezultatin e përgjithshëm 6-1, ku fitoi të dyja takimet. Në turin e dytë eliminoi hungarezët e Ferencvaros me rezultatin e përgjithshëm 4-3, ndërsa në turin e tretë eliminoi me rezultatin e përgjithshëm 5-1 skuadrën suedeze të Elfsborg, e cila paraqitet mirë në kupat e Europës, për t’u eliminuar më pas nga Az Alkmari. Me këto paraqitje, duket se Tirana do të ketë dy sfida të vështira, ku padyshim ndeshja e dytë, që do të luhet në Norvegji, do të përcaktojë fituesin e këtij turi. Megjithatë, duke parë përbërjen e skuadrës norvegjeze, ajo që vihet re është se lojtarët kryesorë janë vendas, por nuk mungojnë forcimet me lojtarë të huaj. “Kolonia” më e fuqishme duket se janë tre lojtarët nga Xhamajka, që cilësohen të shpejtë, ndërsa në përbërje janë edhe dy lojtarë të kombëtares estoneze. Një nga lojtarët kryesorë është edhe Barrents, nga Kosta Rika, i cili ka sezonin e dytë te norvegjezët. Por pika më e fortë e skuadrës duket se është trajneri. Ai quhet Kjetil Rekdal, 43 vjeç, ish-lojtar i përfaqësueses norvegjeze, i cili ka luajtur me skuadra të mira në Gjermani, Francë dhe Belgjikë. Ai ka drejtuar për pesë vite me radhë Valerengën, duke fituar një kampionat dhe një kupë. Ka drejtuar edhe ekipin e Lierese në Belgjikë, ndërsa për një sezon ka drejtuar ekipin e Kaiserslautern në Gjermani. Prej vitit 2008 drejton ekipin e Alesunds, madje duke u shpallur dy herë fitues i Kupës së Norvegjisë. Trajneri i Tiranës, spanjolli Huan Rubio, duhet t’i bëjë mirë llogaritë para kësaj sfide, pasi përballë do të ketë një strateg, që cilësohet si një nga trajnerët e së ardhmes, jo vetëm në Norvegji. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2265 |