Në fokus/ Granit Xhaka: Dua ta shoh edhe Shqipërinë në Botëror | ||||
|
Futbollisti i Borusisë së Mynshengladbahut dhe i Përfaqësueses së Zvcirës, Granit Xhaka, ka shprehur dëshirën që ta shohë kombëtaren shqiptare në Botërorin 2014. Ai ka thënë se Shqipëria aktualisht ka një skuadër shumë të fortë dhe me pak fat mund të kualifikohet në Brazil. “Shqipëria ka një skuadër shumë të mirë dhe një trajner fantastik si Xhani De Biasi. Ai ka ofruar në skuadër shumë lojtarë të rinj, të cilët premtojnë shumë. Ne (Zvicra) kemi katër pikë më shumë se Shqipëria, por do Zoti dhe Shqipëria ta sigurojë pozitën e dytë dhe të shkojë në ‘play-off’”, ka theksuar Xhaka para medieve kosovare pas hapjes “FC Prishtina Junior Camp”. Sa i përket ndeshjes së fundit të kualifikimeve Shqipëri-Zvicër dhe mundësisë që ajo ta vendosë fatin e kuqezinjve për kualifikim në Botërorin 2014, Xhaka është shprehur: “Futbolli është puna jonë. Edhe ne kemi gjak shqiptari, por duhet të luajmë kundër Shqipërisë. Do të shkojmë në Tiranë dhe do të luajmë atje. Shpresoj që ne do ta sigurojmë më herët kualifikimin. Ne gjatë 90 minutave do të luajmë kundër Shqipërisë, por pas ndeshjes do të jemi sërish shokë me të gjithë futbollistët e kombëtares shqiptare”. Sa i përket të ardhmes së tij, ai, ka thënë se është i vendosur për të qëndruar në klubin gjerman, Borusia Mynshengladbah, edhe pse ka oferta prej klubeve tjera. “Edicioni im i parë me Borusinë (M) ka qenë pozitiv, edhe pse disa njerëz mendojnë ndryshe. Jam shumë i lumtur në Mynshengladbah dhe kam kontratë me këtë klub deri në vitin 2017. Ofertat nuk mungojnë, por jam i përqendruar për të dhënë maksimumin dhe për të gjetur sa më shumë hapësirë te Borusia (M)”, ka nënvizuar Xhaka. Set as favorite Bookmark Email this Hits: 2274 |